Elif, Lamë, Ra. (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që me urdhërin e Zotit t’i nxjerrësh njerëzit prej errësirës në dritë; (t’i nxjerrësh prej errësirës) në rrugë të Fuqiplotit, të Falënderuarit.
Ata që i japin përparësi jetës së kësaj bote ndaj botës tjetër, pengojnë nga rruga e All-llahut dhe kërkojnë shtrembërimin e saj. Të tillët qartas janë në humbje.
Ne asnjë nga të dërguarit nuk e dërguam ndryshe vetëm në gjuhën e popullit të vet, ashtuqë ai t’u shpjegojë atyre (në atë gjuhë). E All-llahu e lë të humbur atë që do, dhe e udhëzon në rrugë të drejtë atë që do. Ai është i fuqishmi, i urti.
Ne e patëm dërguar Musain me argumentet tona (dhe i thamë); xnirre popullin tënd prej errësirave në dritë dhe përkujtoju atyre të mirat e All-llahut (që u dhuroi), se vërtet në ato (përkujtime) ka argumente për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë falënderues.
(përkujto) Kur Musai i tha popullit të vet: “Përkujtonie dhuntinë e All-llahut ndaj jush; kur ju shpëtoi prej rrethit të faraonit që ju shijonin dënimin më të shëmtuar, ju mbytnin bijtë tuaj, e lënin gratë tuaja të jetojnë. Në ato kishit sprovë të madhe nga Zoti juaj. ”