All-llahu ju ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon t miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetës.
O ju që besuat, kur t’ju vijnë besimtaret e shpërngulura (prej Mekes), provoni besnikërinë e tyre, ndonëse All-llahu di më së miri për besimin e tyre; nëse vërtetoni se ato janë besimtare, atëherë, mos i ktheni ato te jobesimtarët, pse as ato nuk janë të lejuara për ta e as ata nuk janë të lejuar për to, e ju jepnu atyre (jobesimtarëve) atë që kanë shpenzuar për to (në emër të kororëzimit). Ju nuk keni pengesë të martoheni me to, pasi t’ua jepni vlerën e kurorës. Mos i mbani nën kurorë, idhujtaret por kërkoni (prej idhujtarëve mekas) atë që keni shpenzuar për to, dhe ata le të kërkojnë (prej jush besimtarë) atë që kanë shpenzuar. Këto janë dispozita të All-llahut me të cilat Ai gjykon ndërmjet jush; All-llahu është më i dijshmi, më i informuari.
Në qoftë se u humbet diçka (nga shpenzimi) i ndonjë gruaje tuaj që ikën te idhujtarët, e juve u vjen rasti t’i luftoni dhe të merrni pre të luftës, atëherë atyre që u kanë shkuar gratë, jepnu aq sa kanë shpenzuar; e, kinie frikë All-llahun, të cilin ju e besoni!
O Pejgamber, kur të vijnë besimtaret që të japin besën se: nuk do t’i shoqërojnë asnjë send All-llahut; se nuk do të vjedhin; se nuk do të bëjnë kurvëri; se nuk do t’i mbysin fëmijët e tyre; se nuk do të gënjejnë me ndonjë shpifje për (fëmijën e huaj që kanë marrë) se është i tyre; dhe se nuk do të të kundërshtojnë në atë që i urdhëron, atëherë, prano zotimin e tyre dhe lute All-llahun t’i falë ato, se All-llahu është mëkatfalës dhe mëshirues.